Tuesday, November 17

Myftinia e Shkupit organizon ekskursion me mbi 1200 nxënës të mektebeve në Parkun e Sarajit

Myftinia e BFI – Shkup, më 26 prill 2026 (e diel), organizoi ekskursion me nxënësit e mektebve në parkun e Sarajit ku u tubuan mbi 1200 nxënës të mektebeve që veprojnë në kuadër të Myftinisë. Mualimët dhe mualimet që arritën të bëhen pjesë e kësaj iniciative mundësuan që të gjithë fëmijët së bashku të kalojnë një ditë në natyrë me aktivitete të ndryshme rekreative sportive.

Në mesin e shumë lojërave të tjera argëtuese, ndoshta më tërheqëse për fëmijët ishte turniri në futboll të vogël, ku morën pjesë 18 ekipe dhe turniri në volejboll ku morën pjesë 8 ekipe.

Pas shumë ndeshjeve me brohoritje të fëmijëve, edhe pse të gjithë llogariten fitues, duhej të përcaktohen edhe fituesit e turnirit të cilëve Myftiu dr. Qenan ef. Ismaili u ndau medalje dhe nga një kupë.

Në turneun në futboll vendet e para iu takuan;

Vendi i parë i takoi ekipit të mektebit të xhamisë “Ikre” – Saraj;

Vendi i dytë për ekipin e mektebit të xhamisë “Me Dy Minare” – Saraj;

Vendi i tretë i takoi ekipit të mektebit të xhamisë “Mehmet ef. Sadik” – Vizbeg.

Në turneun në volejboll tre vendet e para iu takuan;

Vendi i parë i takoi ekipit të mektebit të xhamisë “Me Dy Minare” – Vizbeg;

Vendi i dytë për ekipin e mektebit të xhamisë “hfz. Halil Ibrahimi” – Kondovë;

Vendi i tretë i takoi ekipit të institutit të hifzit “Bezisten”.

Mirënjohje të përzemërta për mualimët e mualimet me nxënësit e tyre për pjesëmarrjen duke shpresuar që ky aktivitet do të vazhdojë edhe vitet në vazhdim

Myftinia e Shkupit do të vazhdojë me aktivitete të ndryshme në dobi të nxënësve që ndjekin mësimet në mektebe.

Të gjithë së bashku në shërbim të jetës fetare.