Tuesday, November 17

Ceremonia e duasë së Hifzit të hafizit të ri Afan Nuhiju

Në xhaminë e Mustafa Pashës, sot më datë 14 nëntor 2025, nën udhëheqjen e Reisul Ulema h. hfz. Shaqir ef. Fetait dhe bashkëveprimtarëve të tij, në prezencë të Myftiut të Shkupit dr. Qenan ef. Ismaili, drejtorit të Medresesë “Isa Beu” dr. Islam ef. Islami, kryetarit të Kuvendit të BFI-së h. Nesip ef. Demiri, si dhe para shumë hoxhallarëve, hafizlerëve, mysafirëve e xhematlinjëve të shumtë, u promovua hafizi Afan Nuhiju, nxënës i Institutit të Hifzit për djem pranë Myftinisë “Hafiz Ismail Efendiu”, i cili mësimet e hifzit i ndoqi te muhafizi hfz. Xhemail ef. Nuhiju, përgjegjës i Institutit.

Përndryshe, hafiz Afani është edhe djali i hfz. Sabaatin ef. Nuhiju.

Hatibi i xhamisë, h. Abdusamed ef. Zekiri, iu dëshiroi mirëseardhje në ceremoninë e hifzit, ndërsa në emër të familjes foli muhafizi hfz. Xhemail ef. Nuhiju.

Drejtori i Medresesë, dr. Islam ef. Islami, në fjalën e tij, urroi nxënësin e Medresesë, hfz. Afanin, për suksesin e arritur dhe përgëzoi familjen për sakrificën.

Në fjalën e tij, Myftiu dr. Qenan ef. Ismaili vlerësoi angazhimin dhe sakrificën e muhafizit hfz. Xhemail ef. Nuhiju si përgjegjës i Institutit, hfz. Jashar Ibraimin për përkushtimin dhe haxhi Sejdi Kurtulush për kontributin e çmuar, si dhe rrugëtimin e hafizit të ri. Për këtë vepër madhështore lusim Allahun Fuqiplotë që hafizit t’i japë shëndet dhe t’ia shpërblejë mundin në dy botërat.

Reisul Ulema h. hfz. Shaqir ef. Fetai, në fjalën e tij, vlerësoi lartë figurën e hafizit, muhafizit dhe familjes Nuhiju, ndërsa theksoi se ishte kënaqësi e veçantë të marrë pjesë në këtë gëzim dhe ceremoni të hifzit.

Duanë e rastit e bëri hatibi i xhamisë, h. Abdusamed ef. Zekiri.

Në fund, nga Myftinia e Shkupit, hafizit iu nda certifikata e hifzit, një laptop dhe një plaketë, ndërsa muhafizit iu nda një mirënjohje për kontributin e dhënë. Reisul Ulema ndau nga një dhuratë materiale – pliko për hafizin dhe muhafizin, si dhe një dhuratë simbolike për hafizin që ndjek mësimet.