Tuesday, November 17

Myftinia e BFI – Shkup realizoi me sukses seminarin me temë “Familja mbi të gjitha”

Myftinia e BFI – Shkup, sot më 8 nëntor 2025, duke patur parasysh problemet e kohës dhe angazhimin për zgjidhjen e tyre, realizoi me sukses seminarin me temë “Familja mbi të gjitha”, ku morën pjesë afërsisht 100 nëpunës fetarë që veprojnë në katër rajonet e Myftinisë.

Në fillim, u lexua asheri nga hfz. Avni ef. Asani, imam në Xhaminë e Re në Çair.

Hapjen e këtij seminari e bëri Myftiu, dr. Qenan ef. Ismaili, duke shprehur falënderime dhe mirënjohje për ligjëruesit e këtij seminari, doc. dr. Taxhedin Bislimi dhe prof. dr. Musa Musai. Myftiu falënderoi të gjithë të pranishmit të cilët iu përgjigjën ftesës për pjesëmarrje, si dhe për përvojat e fituara në këtë seminar të rëndësishëm, i cili do të jetë në dobi të shoqërisë sonë dhe besimtarëve tanë.

H. Ali ef. Ziberi, moderatori i seminarit, paraqiti agjendën e ditës dhe filluan punimet e këtij seminari, të zhvilluara në tre seanca punuese.

Në seancën e parë u trajtua tema: “Martesa dhe shkurorëzimi – një udhëtim psikologjik mes dashurisë dhe ndarjes”, të cilën e prezantoi prof. dr. Musa Musai.

Në seancën e dytë, doc. dr. Taxhedin Bislimi trajtoi temën: “Rregullat praktike gjatë lidhjes së kurorës”, ndërsa në seancën e tretë trajtoi temën: “Rregullat fetare të shkurorëzimit dhe pasojat e saj”.

Pas çdo seance, të pranishmit patën mundësinë të parashtrojnë pyetje dhe problematika të ndryshme, të cilave iu përgjigjën ligjëruesit e ditës së sotme.

Në përmbyllje të seminarit, u bë ndarja e certifikatave për të gjithë pjesëmarrësit në këtë seminar.