Tuesday, November 17

Myftiu i Shkupit dr. Qenan ef. Ismaili në ceremoninë e përfundimit të Shkollës Verore 2026 në Batincë

Më 30 korrik 2026, Myftiu i Shkupit dr. Qenan ef. Ismaili, në shoqëri të stafit të Myftinisë, me kënaqësi mori pjesë në ceremoninë e përfundimit të shkollës verore 2026, të organizuar nga xhamitë e fshatit Batincë në koordinim me Myftininë e Shkupit, për herë të parë në rajonin e Karshiakës, nën udhëheqjen e mualimëve h. Ramadan ef. Hajredini, h. Rasim ef. Ademi dhe h. Llokman ef. Abdullai, ku u mikpritën nga prindërit e nxënësve dhe xhemati i kësaj ane.

Ky aktivitet u realizua në prani të kryetarit të Komunës së Studeniçanit, z. Ejup Abazi, drejtoreshës së shkollës fillore në Batincë znj. Hatixhe Ramadani Mustafa, hoxhallarëve si dhe personaliteteve të tjera.

Me një fjalë përshëndetëse, drejtoresha e shkollës znj. Hatixhe Ramadani Mustafa, për projekte të këtilla theksoi se dyert e shkollës janë të hapura për të kultivuar sjelljen dhe etikën në shoqërinë tonë.

Të pranishmit i përshëndeti kryetari i Komunës së Studeniçanit, i cili uroi nxënësit dhe mualimët për realizimin e shkollës verore, me thekst të veçantë se Komuna e Studeniçanit është e gatshme të bashkëpunojë me Myftininë e Shkupit në projekte që kanë të bëjnë për të mirën e fëmijëve.

Ndërkaq, mualimi përgjegjës Rasim ef. Ademi, prezantoi një rezyme mbi rrjedhën e Shkollës Verore 2026, duke theksuar përkushtimin dhe angazhimin e nxënësve gjatë gjithë periudhës së realizimit të këtijë aktiviteti me peshë.

Myftiu i Shkupit, dr. Qenan ef. Ismaili, përgëzoi mualimen për këtë projekt të suksesshëm, ku morën pjesë 130 nxënës në aktivitete të ndryshme kreative dhe fetare, një organizim i shkëlqyer në funksion të edukimit të brezit të ri. Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për përkrahësit dhe punën e palodhur të gjithë stafit që kontribuuan në realizimin e këtij projekti.

Në fund të ceremonisë u bë ndarja e certifikatave për të gjithë nxënësit pjesëmarrës në shkollën verore, dhe mirënjohje për mualimët.

Allahu i shpërbleftë mualimët për angazhimin e tyre, ndërsa nxënësve u dhashtë shëndet, sukses dhe mbarësi në jetën e tyre!