
Sot, me datë 30 korrik 2026, në xhaminë “Bardhi” në Bllacë, të udhëhequr nga Reisul Ulema h. hfz. Shaqir ef. Fetai, bashkëveprimtarët e tij, Myftiun e Shkupit dr. Qenan ef. Ismaili, drejtorin e Medresesë Isa Beu, dr. Islam ef. Islami, dr. Rexhep Suma, profesor në FSI – Prishtinë, dr. Musa Vila kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Hani Elezit, hfz. Abdurahim ef. Kurtish, themelues i Bashkësisë Shqiptare Islame në Danimarkë, h. Nebi ef. Imeri, imam në Cyrih të Zvicrës, para shumë hoxhallarëve, hafizlerëve, mysafirëve e xhematlinjëve të shumtë promovuan hafizen Hava Imer Azemi, e cila hifzin e kreu tek muhafizi h. Miftar ef. Islami.
Hfz. Abdurahim ef. Kurtish, në emër të familjes së hafizes, xhematit, mysafirëve u dëshiroi mirëseardhje, ndërsa hafizes së re i dëshiroi shumë suksese dhe shëndet.
Me fjalim përshëndetës, dr. Rexhep Suma, përgëzoi arritjet e hafizes dhe muhafizit, duke u dëshiruar suksese në të ardhmen.
Të pranishmit i përshëndeti dr. Musa Vila, kryetar i këshillit të Bashkësisë Islame në Hani Elez, duke potencuar lidhjen shpirtërore në mes Hani Elezit dhe fshatit Bllacë, në kultivimin dhe ruajtjen e Kuranit, duke uruar familjen për kontributin e dhënë.
Në fjalën e tij, Myftiu dr. Qenan ef. Ismaili vlerësoi lartë angazhimin e hafizes, gjithashtu uroi për suksesin e treguar edhe në garat ndërkombëtare të Kuranit të mbajtura në Shkup ku arriti të zë vendin e tretë si dhe sakrificën e muhafizit për mundin e dhënë, ndërsa për këtë vepër madhështore lusim Allahun Fuqiplotë që hafizes t’i japë shëndet dhe t’ia kompensojë mundin në dy botërat.
Reisul Ulema h. hfz. Shaqir ef. Fetai, në fjalën e tij vlerësoi lartë figurën e hafizes dhe të muhafizit dhe theksoi se Shkupi vazhdimisht ka ditur të dëshmojë veten me nxjerrjen e hafizave, ndërsa për mua është një kënaqësi e veçantë të marrë pjesë në këtë gëzim dhe ceremoni të hifzit.
Duanë e rastit e bëri h. Nebi ef. Imeri.
Në fund, nga Myftinia e Shkupit, hafizes iu nda certifikatë e hifzit, laptopë, plaketë hafizes, ndërsa muhafizit iu nda mirënjohje për kontributin e dhënë. Reisul Ulema ndau nga një dhuratë materiale, pliko për hafizen dhe muhafizin, gjithashtu edhe familjarët kishin pregatitur dhurata për Reisul Uleman, Myftiun e Shkupit, muhafizin dhe dhurata të veçanta për hafizen Hava Azemi.
Lusim Allahun e Madhërishëm hafizes t’i japë shëndet e shumë suksese në të ardhmen.
