Tuesday, November 17

Në Xhaminë e Mustafa Pashës u promovua hafizi i ri nga Shkupi hfz. Musa Zeqiri

Në xhaminë e Mustafa Pashës, sot më datë 24 korrik 2026, nën udhëheqjen e Reisul Ulema h. hfz. Shaqir ef. Fetait dhe bashkëveprimtarëve të tij, në prezencë të Myftiut të Shkupit dr. Qenan ef. Ismaili, myftiut paraprak të Shkupit prof. dr. Taxhedin ef. Bislimi, profesorët e Medresesë Isa Beu, haxhi Sejdi Kurtullush, përkrahës i institutit të hifzit nga themelimi i saj, si dhe para shumë hoxhallarëve, hafizlerëve, mysafirëve e xhematlinjëve të shumtë, u promovua hafizi Musa Zeqiri, nxënës i Institutit të Hifzit për djem pranë Myftinisë “Hafiz Ismail Efendiu”, i cili mësimet e hifzit i ndoqi te muhafizi hfz. Xhemail ef. Nuhiju, përgjegjës i Institutit, si dhe hfz. Jashar ef. Ibrahimi, muhafiz në këtë institut.

Përndryshe, hafiz Musa është edhe djali i hatibit të xhamisë së Mustafa Pashës, h. Abdusamet ef. Zeqiri.

Në emër të familjes iu dëshiroi mirëseardhje h. Abdusamet ef. Zeqiri, nën emocione falenderoi të pranishmit për prezencën në këtë ditë të veçantë për familjen tonë.

Në fjalën e tij, Myftiu dr. Qenan ef. Ismaili vlerësoi angazhimin dhe sakrificën e muhafizit hfz. Xhemail ef. Nuhiju si përgjegjës i Institutit, hfz. Jashar Ibraimin për përkushtimin dhe haxhi Sejdi Kurtulush për kontributin e çmuar, si dhe veçanërisht rrugëtimin e hafizit të ri, me lutje që të bëhet një dijetar i ardhshëm i trojeve tona. Për këtë vepër madhështore lusim Allahun Fuqiplotë që hafizit t’i japë shëndet dhe t’ia shpërblejë mundin në dy botërat.

Reisul Ulema h. hfz. Shaqir ef. Fetai, në fjalën e tij, vlerësoi lartë figurën e hafizit, muhafizit dhe familjes Zeqiri, ndërsa theksoi se ishte kënaqësi e veçantë të marrë pjesë në këtë gëzim dhe ceremoni të hifzit.

Duanë e rastit e bëri prof. dr. Taxhedin ef. Bislimi.

Në fund, nga Myftinia e Shkupit, hafizit iu nda certifikata e hifzit, një laptop dhe një plaketë, ndërsa muhafizit iu nda një mirënjohje për kontributin e dhënë. Reisul Ulema ndau nga një dhuratë materiale – pliko për hafizin dhe muhafizin, si dhe një dhuratë simbolike për hafizin që ndjek mësimet.