Tuesday, November 17

Myftiu i Shkupit pjesë e delegacionit të BFI-së në pritjen e Kryetarit të Dijanetit të Turkiyes, prof. dr. Safı Arpaguş

Myftiu i Shkupit, dr. Qenan ef. Ismaili, dje më 4 mars 2026, ishte pjesë e delegacionit të udhëhequr nga Reisul Ulema h. hfz. Shaqir ef. Fetahu, për të mirëpritur Kryetarin e Dijanetit të Turkiyes, prof. dr. Safı Arpaguş, i cili shoqërohej nga bashkëpunëtorët e tij.

Në kuadër të kësaj vizite të ngrohtë dhe vëllazërore, u shfrytëzuan momente të bukura ku Myftiu i Shkupit, dr. Qenan ef. Ismaili, së bashku me Kryetarin e Diyanetit, prof. dr. Safı Arpaguş, dhe Kryetarin e BFI-së, h. hfz. Shaqir ef. Fetahu, si dhe Kryetarin e Kuvendit të RMV-së, vizituan xhaminë e Tophanës, ku edhe falën namazin e teravisë.

Me këtë rast, Myftiu i Shkupit, dr. Qenan ef. Ismaili, si nikoqir i kësaj vizite, u dëshiroi mirëseardhje mysafirëve dhe i falënderoi për vizitën e tyre.

Reisul Ulema h. hfz. Shaqir ef. Fetahu, në fjalën e tij, shprehu kënaqësinë për vizitën e të parit të jetës fetare në Turkiye, duke theksuar bashkëpunimin e sinqertë dhe vëllazëror ndërmjet dy bashkësive fetare.

Ndërkaq, Kryetari i Diyanetit, prof. dr. Safı Arpaguş, besimtarëve të pranishëm ua uroi muajin e bekuar të Ramazanit dhe përcolli selamet e popullit turk për besimtarët e kësaj ane.

Në atmosferën e këndshme të namazit të teravisë, imami dhe muezini kryesor i xhamisë Ayasofya udhëhoqën faljen, duke krijuar një ambient shpirtëror dhe të mrekullueshëm për besimtarët e pranishëm.

Kjo vizitë është një nder i veçantë për besimtarët e vendit tonë.